Fushata elektorale është në kulmin e saj, me të gjitha ekstremizmat e saj, që për fatin e keq është kthyer në një fushatë shpifjesh dhe urrejtjesh, saqë etika e politikanëve ka kapërcyer çdo limit të mundshëm të civilizimit. E më pas kërkohet etikë nga gazetarët!!!
E paimagjinueshme, e pakonceptueshme, e patolerueshme kjo skenë hienash për pushtet. Etikën e kanë humbur “baballarët e kombit” e jo më pastaj bijtë e tyre ushtarë të bindur të një shteti, që nuk po ngrihet kurrë në nivelet bashkëkohore të vendeve më të civilizuara të botës. Natyrisht ndikon këtu edhe tradita e pështirë e këtyre 20 viteve të fundit ku me shtetin u abuzua fatalisht aq sa sot nuk ka më guximin njeri të përmendë drejtësinë dhe meritën. Në gjithë këto ditë fushate fjalëkalimi është Votat në shkëmbim të padrejtësive, bile edhe më keq në shkëmbim të pandershmërive. Disa ditë më parë mësova se himn të vetin, përveç himnit kombëtar që mesa duket ekzekutohen që të dy, ka edhe mes shqiptarëve të Italisë të vendosur prej shekujve në vendin fqinj. Ndiheshin krenarë për këtë himn të vetin, duke e futur me të drejtë edhe mes dy himneve të tjerë. E këndonin aq bukur sikur të ishte njëri nga himnet e sipërpërmendur. Çuditërisht pas ndryshimeve të vitit 1989 koka të nxehta dhe provokuese në vende të ndryshme të Europës, kanë kërkuar zëvendësimin e tyre. Edhe tek ne debatet për flamurin apo himnin nuk kanë rreshtur duke e nxjerrë koëkn në momente të caktuara përkujtimesh datash apo epokash. Këto himne që i ka koaliduar historia nuk mund të ndërrohen papritur sepse kështu duan disa, pasi të tillë njerëz nuk përfaqësojnë të gjithë bashkëkombasit e tyre, por vetëm atë pjesë që kërkon që të ofrohet si e re ajo që ata e mendojnë të tillë ose që kënaq orekset sioniste të tyre dhe më keq akoma të tashmen për të ardhmen, sepse gëzojnë ndonjë të drejtë përfaqësimi në institucione shtetërore.
Por fushata polli mjaft himne të tjerë të legalizuar dhe palegalizuar në këtë fushatë. Kjo shpjegon faktin se militantët nuk i binden më himnit kombëtar, por himit të partisë duke e ngritur në piedestal partinë mbi kombin. Në emër të kësaj apo asaj partie më vonë i japin rrugë shtetit të antiligjit dhe e predikojnë si ligj. E njëjta skenë edhe me flamujtë saqë të vjen pështirë dhe çudi që në vend të flamujve kombëtarë, zgjedhjet duhet të jenë festë e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e militantëve, gjen të ngritur në kulmet e shtëpive flamurin e partisë, atë flamur që me të drejtë do ta quanim të klanit, të cmirës, të urrjetjes, ndarjes, shpirtit të vogël të ndasisë. Ky do të ishte përcaktimi më i qartë i gjithë kësaj fushate të pashoq dhe paprecedentë në kërkim të votave edhe pse në themelet e qeverisjes 20 vjeçare të shqiptarëve ka shumë baltë dhe errësirë. Të paktën kështu po veprohet edhe tani, ku kampet po shfaqin platformat dhe mes sharjve dhe fyerjeve të gjithë flasin pak për korrupsionin i cili kohët e fundit edhe u deklarua nga ndërkombëtarët si një faktor i domosdoshëm për integrim. Në vend që të ndalemi fort dhe të pranojmë se shqiptarët nuk dinë të qeverisin, e thënë ndryshe keqqeverisje, fakt që e pranon, edhe pse me diplomaci, çdo analizë e ndërkombëtarëve, trumbetat e fitoreve apo mburjeve për hyrjen në NATO apo në Europë vazhdojnë të jenë ritmi i ditës. Me futjen në Europë po përqëndrohet çdo detaj i kësaj fushate. Nuk e di sesi do të ndiheshin shqiptarët në një Europë të pabarabartë për nga niveli ekonomik, shkencor, kulturor, social. E përsëri fjala e ditës mbetet Europa dhe jo situata reale në vend. Edhe sikur Europa të tregohet dashamirëse, gjasë që nuk mund të realizohet shpejt, pasi nuk janë plotësur kushtet e vendosura nga BE-ja, çfarë do të paraqiste Europa për shqiptarët? Shumëkush e mendon vetëm një vizë për të levizur lirisht. A do të mjaftonte liberalizimi i tyre? A do pranonin shqiptarët pabarazinë në Europë? Përsëri shumëkush do të thoshte gjysma e së keqes. Por Europa do të ishte për atë shtresë njerzish që me të drejtë apo padrejtë do të përfaqësonin shtetin dhe jo për miliona të tjerë që në gjithë këto vite nuk kanë gëzuar asnjë mbrojtje nga ai shtet i së drejtës që me pompozitet u tha në fillimet e ndryshimeve. Është e qartë se asnjë sistem nuk e pranoka, pra, drejtësinë, demokracinë, lirinë, barazinë mbi bazën e vlerave, arritjeve, kontributeve dhe meritave në jetë. Himnet dhe flamujtë janë aty që valviten “krenarë”, pas çdo dekade, shohim se shtohen, ndryshojnë. Ca lihen në harresë nga koha, ca pasi e përmbushëm misionin e tyre kur përfundojnë zgjedhjet, ca rinxirren nga skutat e harresës për tua servirur sërisht zgjedhësve në këto ditë të nxehta vere dhe elektorale. Në rrugë do shohësh njerëz të kënaqur, bile po guxoj të them të lumtur, që të mbajnë mbi supe flamujtë e turpit dhe urrejtjes, duke i ekspozuar për inat të kundërshtarit, të tjerë zbukurojnë makinat në raste mitingjesh për të bërë figurë të mirë para shefave të tyre, edhe pse injorantë politikë, ndoshta i lidh i njëjti përcaktim të dy palët, dhe kështu në rast fitore do të kërkojnë me padrejtësi copën e tyre të majme të premtuar nga të vetmet organizata të paligjshme, të pamoralshme dhe tepër tendecioze në Shqipëri, që janë partitë politike.
Sa shumë himne këndohen, sa shumë flamuj ngrihen dhe valëviten sot nëpër sheshe, rrugë, shtëpi, institucione të paligjshme të politikës, institucione shtetërore, kur ligji e shpreh qartë që këto të fundit nuk duhet të jenë të përfshira në këtë konfuzion idesh, platformash, premtimesh në erë, pasi rrezikohet manipulimi. Para pushtetit, parasë, posteve, manjakizëm i pakonceptuar në këto përmasa, nuk ndalet askush, pasi gara nuk është garë për të nxjerrë më të mirët, por më hileqarët dhe të bindurit verbërisht ndaj hileve që kanë mbrojtjen e pseudoshtetarëve patologjikë.
Komente
Dërgo koment të ri