Duket se tashmë është zbardhur disi fundi i historisë së kutive të votimit, dhe ndoshta zgjedhjet e reja parlamentare jane veçse një hap larg. Pas kësaj me të drejtë lind pyetja: Çdo të ndodhë me LSI-n dhe Ilir Metën? A do të vazhdoj ai aleancën me të djathtët e Berishës edhe gjatë fushatës së ardhshme elektorale (nëse do të ketë), apo do të kthehet - si "djali plangprishës" - në gjirin e të majtës?
Fakt është se Meta me të tijët rezultuan të ishin një faktor determinant në krijimin e qeverisë Berisha, me katër deputetët që i ofruan. Por pyetja sot është: a do të jenë më një faktor i tillë në të ardhmen, pas imazhit mëse të dëmtuar politik, për shkak të bashkëpunimit me PD-n?
Me fjalë të tjera, a do të votojë elektorati i LSI-s më për LSI-n?
Nuk duhet haruar fakti se një pjesë e rëndësishme e figurave drejtuese të kësaj partie janë distancuar tashmë nga linja Meta, gjë që (me siguri) do të pasqyrohet me rrjedhje në elektorat edhe në rast zgjedhjesh.
Në këto rrethana, duke peshuar faktorët e mësipërm politik, por edhe të tjerë, pyetja është: Çfarë duhet të bejë LSI?
(1) Të bëjë fushatë elektorale e vetme;
Ndoshta ky version do ishte vetëvrasje përfundimtare për klanin Meta, pas imazhit të dëmtuar tashmë, si pasojë e bashkëpunimit me Berishën. Shumica e përkrahësve të LSI-s mbase nuk ndihen komfort me strategjinë qeverisëse të Metës, që për më tepër s'pati sukses, edhe për shkak të kohës së shkurtër në kabinetin e PD-s - nuk arriti të rregulloj as miqtë e tij të afërt, jo më pjesë të elektoratit që e votoi.
(2) Të bëjë fushatë si aleate e PD-s;
Mbase PD-s nuk i intereson më Meta nëse vendi shkon në zgjedhje të reja. Ashtu si puna e atij "limonit të shtrydhur", Berisha kishte nevojë për LSI-n thjesht për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij. Ai e ka të qartë që zgjedhja "kuislinge" e Metës - bashkëpunimi me PD-n - ka sjellë rrjedhje serioze brenda elektoratit të majtë të LSI-s, element ky që do favorizonte më shumë Metën se Berishën në rast aleance zgjedhore.
(3) Të kthehet në gjirin e të majtës;
Rama mund ta evitoj Metën si aleat elektoral për të njëjtat arësye që do e evitonte edhe Berisha - "limon i shtrydhur". Por nuk duhet harruar fakti, se nje aleancë e mundshme (sot) Rama - Meta, për të rrëzuar qeverinë aktuale, ndoshta do të përmirësonte imazhin elektoral të LSI-s, dhe pse jo, mund të krijonte ndonjë perspektivë joshëse tek kampi i Ramës.
Për sa më lart, si konkluzion mund të them se Metës ndoshta nuk i interesojnë zgjedhjet e reja në këtë moment. Perveç imazhit të dëmtuar, problem gjithashtu është se ai nuk arriti të grumbulloj fonde signifikative gjatë qeverisjes së shkurtër me PD-n (tentativën e Dritan Priftit në këtë aspekt e mori lumi) për të patur një suport financiar të qëndrueshëm në rast zgjedhjesh.
Në këto rrethana, ndoshta Meta: (1) do luftoj fort të evitoj zgjedhjet e parakohshme - gjë që nuk do ketë ndonjë impakt të madh, ose (2) do hyj në aleancë të fshehtë me Ramën për të goditur maxhorancën e brishtë të PD-s - siç argumentova më lart.
Komente
Dërgo koment të ri