Skip to content

Gruaja shqiptare si vlerë e pamohueshme në shoqëri

05. 03. 2010 nga Vilhelme Vranar...

Version i përshtatshëm për printim

Ju uroj: Gëzuar 7-8 Marsin gjithë femrave kudo në botë!
Shoqëria njerëzore qysh nga krijimi i saj, ka kaluar shumë stade zhvillimi, të cilat kanë qënë në përputhje dhe vartësi të ndërsjellta me zhvillimet historike, politike, apo ato ekonomike.

Raportet e marrëdhënieve që ekzistojnë mes saj dhe këtyre fenomeneve, lidhjet rerciproke të njerëzimit me ndryshimet historike që sjellin luftërat apo revolucionet, kanë sjellë evolucionet shoqërore. Si rezultat i ndryshimeve politike, kanë qënë përherë lindja e shtresave të reja shoqërore, të cilat ecin paralel me kohën, me kërkesat dhe standardet e reja të zhvillimit që ofron e sotmja. Çdo kohë kërkon njerëzit e vet, njerëz të rinj, që t’u përgjigjen ritmeve të saj.

Ndryshimet sasijore dhe cilësore gjatë revolucioneve historike edhe evolucionet social- kulturore, i bën gjithë shoqëria dhe jo vetëm burrat. Dihet se luftërat janë të ashpra për brishtësinë, finesën apo delikatesën e femrës dhe megjitahtë gruaja kurrë nuk ka qenë e përjashtuar në dhënien e shëmbujve të heroizmit. S’është nevoja të përmend, por ka pasur aq shumë shëmbuj guximi, intelekti, qëndrese dhe trimërie, sa gratë si stratege të zonjat, jo vetëm kanë udhëhequr beteja të ashpra, por me maturinë e tyre, jo rrallëherë kanë përballuar çaste tejet të vështira. Edhe kur nuk janë përballur me të huajin, kanë mbajtur shtëpinë, kanë drejtuar ekonominë, duke mos harruar të qënit nëna. Madje shumë herë nënat harrojnë vetëveten. Mpaken, rrudhosen, thinjen, krrusen dhe plaken, por kurrë s’ harrojnë që me shikimin e tyre, t’u dhurojnë fëmijëve besimin në vete. Me buzëqeshjen e tyre t’u dhurojnë sigurinë bijëve të tyre për të ecur përmes rrebesheve të kohës. Me dorën e ashpër por të ngrohtë, ato u përciellin fëmijëve ngrohtësinë e ledhat e shpirtit të tyre të coptuar dhe të mardhur. Dhe kur u qan zemra para fëmijëve shpalosin një botë plot ëndrra për ta, sepse e ardhmja u takon atyre.

Këto nëna të dhembshura, këto zonja shëmbëllore, që mbajnë shtëpinë, edukojnë fëmijët e ndërkohë japin vlera në fusha të ndryshme të ekonomisë, kulturës, arsimit, mjeksisë dhe shkencës, a nuk kanë të drejtë të shikohen ndryshe nga shoqëria dhe shteti? Do të më pëlqente që si nga politika, nga organizmat shtetërore për integrimin e femrës, nga shoqatat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gruas, të shiheshin me një sy tjetër, si segment vlerash intelektuale dhe profesionale dhe jo thjesht si riprodhuese të jetës. Përherë u është dukur si çudi dhe e pabesueshme kur një femër sjellë diçka të re në dobi të shoqërisë, gjë për të cilën meshkujve, të cilët gjatë gjithë historisë së njerëzimit kanë drejtuar (duke përjashtuar matriarkatin) nuk u ka shkuar në mendje. Janë disa profesione që janë bërë e drejtë e ushtrimit të gjinisë mashkullore. Kjo ndodh jo se janë më të aftë se femrat, por sepse tek ata përherë kanë pasur më tepër besim.

Po marrë si shembull përkthimet nga gjuhët e huaja.

Deri para pak vitesh dëgjoheshin vetëm disa emra përkthyesish, sigurisht meshkuj, të cilët i vlerësoj për punën e madhe të tyre, sepse lexuesi shqiptar lexon kryeveprat e letërsisë botërore në gjuhën e mëmës. Femrave nuk u ishte dhënë mundësia më parë. Kurse sot mes përkthyesve dëgjohen dhe emra femrash. Ky është një fakt i pamohueshëm që zbut diferencimin gjinor. Po vazhdoj me fushën e letërsisë. Ndër vite kanë dalë disa femra shkrimtare, që në krahasim me shkrimtarët meshkuj, emrat apo numri i tyre ka qenë i papërfillshëm. Disa syresh kanë nisur të botojnë qysh nga vitet 70, ndoshta edhe më herët dhe nuk u është dëgjuar emri kurrë. Vetëm nëse kanë pasur si mburojë hijen e ndonjë lisi të madh, ose janë ngritur në pozitë shtetërore a politike, atëhere po. Emri i ndonjerës është renditur mes emrave të letërsisë së realizmit socialist, por kurrë mes emrave të shquar. Ajo duhet të jetë e ndërgjegjshme e ta ketë të qartë, se nuk është vlerësim letrar real, por vlerësim politik I saj.

A ka femra që japin vlera në Shqipëri. Megjithëse ka shumë modele femrash që duhen vlerësuar sipas fushave ku ato japin vlerat intelektuale dhe profesionale, por për fat të keq ato janë lënë në hije, ose në harresë. Vlerat e femrave, të cilat mohojnë veten, kohën e lirë, kënaqësitë e jetës, të gjitha këto i bëjnë vetëm për të qenë dikushi dhe për të treguar se me përjashtim të forcës fizike, në të gjitha sferat e jetës janë të barabarta me burrat. Veçse femra duhet të vlerësohet realisht ,sepse në radhë të parë është bashkëshorte, zonjë shtëpie, nënë dhe më pas mund të jetë shkencëtare, artiste shkrimtare, apo juriste. Përse vallë këto gra vitale anashkalohen dhe lihen në harresë?! Si pa dashje janë lënë në errësirë dhe në mosnjohje të plotë. Qëndrimi mosvlerësues ndaj tyre, a nuk është krim? Në lidhje me këtë po jap një shembull: Para disa vitesh një femër së cilës ia kishin mohuar të drejtën për të qenë dikushi, nisi të japë vlera në letërsi. Gjithë krijimtaria e saj flet për realitetin e hidhur të diktaturës më të egër që përjetoi Shqipëria, për luftën e klasave të cilën e kishte hequr mbi shpinë, për fatin e mijëra intelektualve që përfunduan nëpër miniera, këneta dhe kanale, të cilëve nuk u dihen as varret, flet aq dhembshëm për fate femrash të hequra zvarrë por që pa u përkulur dhe me dinjitet i mbijetuan ferrit komunist. Kjo femër e ka përjetësuar realitetin shqiptar dje dhe sot, me të mirat e të metat e tij, me traditën dhe mentalitetin e shekujve, përmes një trilogjie. Kritika dhe analistët theksojnë se krijimtaria e saj është një letërsi ndryshe, ku vetëm për trilogjinë kanë dalë 27 artikuj mediatik, e vlerësuar në mjaft emisione televizive dhe artikuj analitik dhe kritik, si Brenda dhe jashtë atdheut, të cilët thonë se është e para krijuese që i ka bërë radiografinë dhe autopsinë shoqërisë shqiptare, megjitahtë nuk është vlerësuar për sa ka bërë. Kjo ndodh për dy arsye: Së pari se është femër dhe së dyti nuk është shkrimtare e socralizmit. Me veprat e saj ajo sfidon kohën, ballafaqohet me shkrimtarë që kanë dhjetëra vite që botojnë dhe tregon se është vetëvetja. Kurse sot reklamohet se një mashkull analizon në veprën e tij vuajtjet e regjimit komunist. Përse bëhet një diferencim i tillë mashkull-femër?! Veprat flasin vetë, Vetëm vlerësimet duhet të jenë objektiv .Mos lexoni emrin e autorit femër apo mashkull! Vlerësoni përmbajtjen ku të ketë realitet, letërsi dhe art.

Me gjuhën e autoriteteve, në media flitet për pjesmarrjen e gruas në politikë. Nga pikpamja formale apo në dukje, ngritja në opinion e një problemi të tillë, është pozitiv. Por ç’mund t’i japë shoqërisë një femër e padëgjuar më parë, që deri dje ka qenë “Askushi”? A është në gjendje ta çojë shoqërinë përpara një grua e zakonshme? Sigurisht që jo, sepse nuk ka kulturën dhe arsimin e mjaftueshëm. Duke i trajtuar problemet në mënyrë sipërfaqësore, apo për t’u hedhur hi syve, në kohë elektorati lind kriza e përfaqësimit femëror. Duke mohuar vlerat e vërteta të këtij segmenti shumë të rëndësishëm të shoqërisë, përzgjedhin kandidatet që rrijnë urtë e butë, të cilat binden dhe ngrenë dorën sa herë është nevoja, edhe kur e drejta nuk është me to dhe pa një tregues se sa të afta janë. Kjo ndodh se këto kandidate të rëndomta, nuk paraqesin asnjë rrezik për eprorët. Janë të bindur se këto kurrë s’kanë për t’u zenë vendin. Ka ardhur koha dhe duhet menduar ndryshe përsa u përket femrave që do të na përfaqësojnë në politikë, legjislativ, gjyqësor apo në administrativ.

Deri në zgjedhjet e ardhshme ka kohë, gjithmonë, nëse ekziston vullneti i mirë i forcave politike për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Intelektuale të mirëfillta, të arsimuara, të afta profesionalisht në fusha të ndryshme, gjen kudo në Shqipëri dhe në trojet ku jetojnë shqiptarë. Për këto zonja që kanë ballafaquar aftësitë e tyre profesionale, dijet shkencore, krijimtarinë artistike apo letrare, përmes medias, veprave të tyre, revistave shkencore, trainimeve në kushte të barabarta me meshkujt, u duhet kushtuar vëmendje nga politika dhe shteti. Ministria e Integrimit, së bashku me institucionet e tjera duhet të bëjnë një seleksionim të këtyre vlerave femërore. Nëse kërkohet me të vërtetë të ndërtohet një Shqipëri e integruar, vlerësoni këtë potencial të pazëvendësueshëm. Nëse nuk do të ketë ego, smirë dhe nëse do të ketë vullnet për progres, një gjë e tillë duhet të bëhet duke nisur që nga shkallët më të ulëta të pushtetit e deri në sferat më të larta shtetërore si legjislative, ekzekutive dhe juridike duke u shtrirë në të gjithë vendin. Nëse bëhet një gjë e tillë, besoj se krijohet një pasqyrë e plotë e intelektualeve të mirëfillta, e grave të afta, për të cilat ka nevojë sot shoqëria.

Po të krahasojmë raportet e grave pjesëmarrëse në vendimmarrje, qeverisje, apo në drejtim politik, me numrin ekzistues në vend, shifrat janë për t’u dëshiruar. Nuk vjen pranvera me një apo me pak lule. Nuk mund të mohoj se në krye të Legjislativit apo Prokurorisë së Përgjithshme janë zonja, por ky është tregues i pamjaftueshëm. Edhe ato pak zonja të nderuara që janë, luftohen, sepse i quajnë” pengesë nëpër këmbë”. Është për të ardhur keq kur në Qeverinë shqiptare ne përfaqësohemi vetëm me një ministre. Edhe pse është vendosur një përqindje fiktive për përfaqësimin e femrës në Pralamnetin shqiptar, a është respektuar kjo kuotë paradoksale?! Jo. Stadet e zhvillimit botëror sot kërkojnë jo kukulla, por zonja që mendjen dhe vlerat e tyre t’i vënë në d shërbim të zhvillimit. Shoqëria nuk prêt kurrë asgjë të mire nga një femër që ndikohet nga urdhëri “BËJ SI THEM
UNË! DO TË BËHET KËSHTU SI DUA UNË” Jo... Çdo njeri qëndron me këmbë mbi tokë, një kokë qëndron mbi shpatullat e veta, brenda së cilës ka një tru dhe një ndërgjegje. Vetëm kështu mund të jesh vetvetja, sidomos një femër.

Është e domosdoshme që sa më shpejt gruaja duhet të bëhet faktor i pakundërshtueshëm nga pretendentët për drejtim, sepse është më pak e korruptueshme dhe tejet e vendosur për t’i bërë punët me cilësi dhe brenda afatit kohor. Një gjë e tillë ndodh se gruaja vetmohohet për ta bërë gjënë e duhur në kohë. Besojini atyre detyra të rëndësishme dhe do të shihni ndryshime cilësore në shoqëri.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar