Liberalizimi i vizave në këtë situatë të acaruar politike që ka sot Shqipëria, mund të sjellë ndoshta ndonjë eksod në drejtim të Europës nga të pakënaqurit e kampit tjetër. Lidershipi qeverisës që sundon aktualisht në vend, ka krijuar mjaft hendek politik brenda shoqërisë shqiptare, si për shkak të menaxhimit të keq të situatës post-zgjedhore, ashtu dhe të mospopullaritet që ata kanë në kampin tjetër (tek të majtët).
Në kushtet e Shqipërisë, ku polariteti është në nivel të frikshëm, padyshim që është e vështirë gjetja e një lidershipi qeverisës të pranuar arësyeshëm nga të dy palët. Gjithsesi, për hir të së vërtetës duhet thënë, se dy liderët e sotëm kryesor të vendit (Berisha/Meta) ndoshta janë zgjidhja më e keqe e këtij problemi, pasi të dy ata provokojnë perçarje që e bën mjaft të vështirë e të ngadalshëm proçesin e libaralizimit të vizave.
Europa e shikon tashmë, se nën lidershipin aktual të Shqipërisë, është agravuar dukshëm hendeku politik në vend, faktor ky që në rast liberalizimi vizash mund të krijoj rradhë të gjata azilantësh politik shqiptarë.
Liberalizimi i vizave, si proçes i rëndësishëm i hapjes së Shqipërisë me Europën, kërkon natyrshëm përmbushjen e dy kritereve fondamentale:
(1) Situata politike në vend të jetë e qëndrueshme - jo në këtë nivel jashtëzakonisht të acaruar siç është sot; dhe
(2) Lidershipi qeverisës të jetë i pranuar (në mënyrë të arësyeshme) nga dy palët e popullatës, gjë që në fakt nuk egziston në Shqipëri, ku siç dihet, elektorati i majtë nuk e mirëpret, për të mos thënë e urren këtë lidership.
Po të shikohen gjërat më në kompleks, duket sikur Berisha e ka patur të qartë se imazhi i tij kontradiktor politik nuk do ishte i përshtatshëm gjatë proçesit të liberalizimit të vizave. Dhe për të korigjuar disi këtë të "keqe", ai ndoshta ka menduar të ofroj Meten, si një lloj "make up-i", që një kombinim i tillë të konsiderohej me bazë të gjërë, dhe i pranueshëm nga Europa. Por me çduket kjo strategji po dështon tashmë, sepse koalicioni në fjalë, në fakt, provokoi edhe më shumë reaksion politik në vend, duke e thelluar dukshëm hendekun mes të majtëve e të djathtëve - ku Meta nuk mundi të shërbej si urë lidhëse në këtë aspekt.
Nën një këndvështrim më parimor të problemit, duket se z. Berisha është treguar shumë egoist në këtë histori, pasi ndërsa e dinte se figura e tij nuk pranohej gjërësisht nga shqiptarët, ka insistuar përsëri me kokëfortësi në këtë linjë, për të mos dorëzuar pushtetin personal (duke viktimizuar edhe Metën), ndërkohë që zgjidhja më e arësyeshme, si për liberalizimin e vizave, ashtu dhe për stabilitetin politik në vend (situatën post-zgjedhore), mbase do kishte qenë një kryeministër tjetër nga kampi i tij i djathtë, i pranueshëm nga të dy palët e popullatës në vend. Një skenar i tillë do e bënte më të garantuar liberalizimin e vizave, dhe natyrshëm do e bindte Europën se nga Shqipëria nuk do kishte valë refugjatësh politik, siç mund të ndodhë tani.
Komente
Dërgo koment të ri