Skip to content

Rrahja e grave

06. 04. 2010 nga Lis Bukuroca

Version i përshtatshëm për printim

Gazeta "Shekulli" e beri publike raportin e "Amnesty International", ku thuhej se çdo e treta grua në Shqipëri rrihet. Se rrihen gratë shqiptare nga shqiptarët dihet, por nuk mund të mendohej se çdo e treta posedon një trajtim të tillë barbar.

Ne kemi katedra të sociologjisë e të psikologjisë dhe në vend se të informohemi nga brenda për perversionet tona, na informojnë nga jashtë. Si duket katedrat tona kanë punë me teorinë dhe nuk janë në shërbim të shoqërisë, por të vetvetes. Ata lexojnë anketa të huaja, thua se nuk kanë shoqëri të veten!
Çdo e treta rrahet! Kjo domethënë se një e treta e familjeve shqiptare jetojnë në dëshpërim dhe në keqtrajtim permanent. Në një gjendje të jashtëzakonshme! Një e treta e familjeve shqiptare gjendet në një përleshje qytetare brenda mureve. Kjo ndikon keq edhe në edukatën e fëmijëve dhe nga kjo gjendje ata mësojnë se rrahja dhe nënshtrimi zgjedhin problemet! Kështu mendonte edhe diktatura!
Për sociologët dhe psikologët ka shumë punë. Ata mund të bëjnë anketa dhe të dalin me një numër gjithëpërfshirës duke zbardhur edhe karakteristikat tjera, që janë të rëndësishme, në mënyrë që shteti të nisë parandalimin dhe motivimin e grave për denoncimin e talebanëve shtëpiak.
Do të ishte me rëndësi të shihej niveli arsimor i rrahësve, profesioni i tyre, gjendja ekonomike dhe niveli arsimor i grave të rrahura. Me rëndësi është edhe të merret vesh çka deklarojnë gratë te mjeku: se janë rrëzuar shkalleve, se i kanë rënë derës me kokë, me faqe apo me ballë.
Nëse vërtet rrihet një e treta e popullsisë, atëherë gjendja është alarmante dhe shteti duhet të investojë në ndërtimin e shtëpive të grave. Me këtë numër të madh, nëse nuk reagon shteti, atëherë nuk kemi shtet, por një qeveri e administratë, që përpiqet të shtiret si shtet.
Në një anketë eventuale duhet gjithashtu pyetur edhe për gjësendet që përdorë rrahësi. Me çka shkakton ai dhimbje, me çka shkakton shenja trupore dhe si arrin te dominimi i synuar: sa për qind qëllohen me shkopinj dhe sa herë u shkaktojnë dhembje gjatë një seance nënshtrimi.
Sa nëna dhe motra shqiptare goditen nga shqiptarët me pëllëmbë dhe sa herë u shkaktojnë dhembje gjatë një sesioni përbuzjeje.
Sa për qind të nënave dhe vashave shqiptare goditen me grusht dhe ku goditen prej shqiptarëve: në hundë, në bark apo në nofulla. Sa dhëmbë thyhen, sa gjak derdhet dhe kush e fshinë gjakun, kush i mbledh dhëmbët.
Sa për qind rrihen me thupër, sa herë u bien dhe mesatarisht sa shenja i kanë nënat dhe vajzat shqiptare nga shqiptarët dhe sa zgjatë kjo seancë traumatizuese.
Sa për qind rrihen me rrip dhe sa herë fshikullohen mesatarisht gjatë një trajtimi.
Sa për qind të nënave dhe bijave shqiptare goditen me shqelma, pse goditen dhe sa herë.
Sa për qind të nënave rrihen me pëllëmbë dhe sa herë u shkaktojnë dhembje.
A u lejohet edhe shprehja e mllefit, ofshamës apo i rrahin duke u bërtitur: "Mos të dëgjohet zëri, se ta këpusë kokën si të pulës."
Sa për qind rrihen shumë. Sa për qind rrihen tepër. Sa për qind rrihen rëndë. Sa për qind rrihen për vdekje.
Kur t´i kemi këto detaje, atëherë mund t´i tregojmë vendit se sa njerëz mizogin (urrejtës të grave) ka kombi jonë krenar! Sa kriminel gjenden në shtëpi, e jo në burg!

Është me rëndësi të kuptohet edhe gjendja shpirtërore e rrahësit: shtypja e gjakut, pulsi dhe t´i analizohet gjaku dhe vërehet se cilat hormone ndikojnë në sjelljen e tij instiktive, si në kohën kur në një degë luhatej majmuni, e në tjetrën njeriu! Duhet të kuptohet edhe kjo: a tregon shenja kënaqësie gjatë rrahjes dhe si sillet pas shkatërrimit të dinjitetit të njeriut.
Kur të kihen krejt këto të dhëna mund të dilet para nxënësve dhe t´u mësohen atyre të drejtat e fëmijës dhe të drejtat e gruas. Nëse veprohet kështu, parandalohet dhuna qysh në shkollë dhe brenda njëzet viteve kemi një gjeneratë të edukuar dhe të ekuilibruar.
Nuk është e preferueshme t´i veshim rrobat e para 100 viteve, as nuk është e parapëlqyeshme në kohë e revolucionit digjital e shkencor të jetohet me mendësinë e kohë së para qindra viteve. Nuk është e mirë dhe humane të ndahet kombi në rrahës dhe të rrahur.
Ata që nuk ndryshojnë, do të kenë probleme, sepse sot jetojnë me idetë djeshme, të skaduara! Jeton i lumtur ai që jeton me kohën, jo kundër kohës! Me celular në xhep, të sillemi si kur tërhiqnim apo ngarkonim gomarin, është vërtetë interesante, tepër interesante për sociologjinë dhe patologjinë!
Me kompjuter në shtëpi, të sillemi si në kohën kur rrinim rreth oxhakut me një llambë gazi, është vërtetë interesante për sociologjinë, psikologjinë dhe për patologjinë.
Kush rrah? Ai që trishtohet nga liria dhe barazia e gruas. Ai që ka komplekse. Ai që si fëmijë ka parë rrahje në shtëpi.
Ai që është shumë pak burrë. Rrahja dhe nënshtrimi i shërben si erzac për ta plotësuar boshësinë e vet mashkullore. Ai ka frikë ta demonstrojë trimërinë e guximin jashtë, prandaj e praktikon atë në shtëpi.
Meshkuj që rrahin duhen dërguar te psikologu dhe të tregojnë pse trishtohen nga barazia e njeriut me njeriun.
Nëse nuk u ndihmon ai, atëherë mund të ndihmojë psikiatri. Me rendësi të shërohen! Pse psikologu e psikiatri? Sepse gruaja shqiptare nuk është e përdalë, por e përdalë është fantazia dhe imagjinata e disa shqiptarëve mizogin.
Për t´i kuptuar motivet e barbarizmit, anketa duhet bërë njëkohësisht në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë.
Të shihet sa ka ndikuar në shpirtin e shqiptarit hard-diktatura në Shqipëri. Si ka ndikuar pushtimi në psikikën e shqiptarit jashtë kufirit dhe pse disa shqiptarë kanë një mosbesim dhe urrejtje patologjike ndaj grave.
Kjo duhet të zbardhet nga katedrat tona, sepse e një e treta e grave, nënave dhe motrave tona rrihen! Sepse popujt që keqtrajtojnë dhe dominojnë të dobëtin, nuk mund të quhen as trima, as krenarë e as qytetarë të ndërgjegjshëm e as qytetar të civilizuar!

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar