Skip to content

Mediat shqiptare janë në pararojë të përparimit

26. 03. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Në kushtet kur shoqëria jonë ka nevojë urgjente për reforma të shëndetshme në të gjitha hapësirat e zhvillimit, realizimi i tyre kërkon angazhim të sinqertë të klasës intelektuale në përgjithësi dhe medias, gazetarëve, krijuesve në veçanti. Një gazetari funksionale dhe konstruktive do t’i shërbente energjikisht ruajtjes së ekuilibrave të nevojshme për demokratizimin e mënyrës së jetesës që duhet t’ju paraprijnë këtyre reformave. Si çdo element dhe si çdo pushtet në konsolidimin e një shoqërie, gazetaria jonë meriton të gjitha vlerësimet që një përpjekje pozitive meriton në kushtet e përplasjeve me pushtetet e tjera, me politikën, me terrorin shtetëror ndaj lirisë së shprehjes, në të njëjtën mënyrë dhe po aq sa, si një institucion i së vërtetës, ajo duhet gjykuar për problemet e veta, shpesh serioze, që lidhen me mungesën alternative të profesionalitetit mediatik, apo me njëanshmëri të lirë politike, të publikuara herë pas here ndonjë media zëvendëson moralin e misionit me interesa biznesi ose interesa të pandershme. Megjithatë, në përgjithësi, mediat shqiptare janë në pararojë të përparimit shqiptar ndërsa kjo dinamikë, gjeneron në hapësirën publike mrekullinë e mendimit dhe fuqinë e analizës, në po atë masë që zhvillon dhe pasuron fuqitë intelektuale të shprehjes, të gjuhës dhe të ndjeshmërisë civile. Por si një mekanizëm i përbërë, një opinion gjithëpërfshirës do të ishte i vështirë në këtë rast, pasi, si ingranazhe të veçuara, medja të caktuara nuk janë në koherencën e llogjikës së misionit, nëse supozohet se ky mision është e vërteta. Në këtë mënyrë,një perceptim i përgjithshëm nuk mund të jetë veçse relativ, favorizues ose përjashtues sipas rastit. Padyshim që ka media apo gazeta private, apo gazetarë që meritojnë mesazhin përshëndetës për zbulimin dhe publikimin e së vërtetës, ashtu si është e qartë se media të politizuara pranë pushtetit ekzekutiv, fatkeqësisht të fuqishme dhe ndikuese, janë në barikadat qeveritare të ngritura për të mjegulluar transparencën, qartësinë publike, realitetin në vend, të vërtetën.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar