Skip to content

Kush e ka fajin, populli apo politika?

24. 06. 2011 nga Nase Jani

Version i përshtatshëm për printim

Edhe një njoftim nga Europa, jo në favor të Shqipërisë e të shqiptarëve. Stefan Fyle deklaroi se radha e Shqipërisë për në BE, është edhe pas Malit të Zi, që u bë shtet pardje, edhe pas Serbisë, që ka pjellë më tepër krime se demokraci në Europën Demokratike. Kësaj populli i thotë: “Prit gomar të mbijë bar!”, por dimri vazhdoi gjatë dhe kur mbiu bari kishte ngordhur gomari.
Në këta 20 vjet, të gjoja-demokracisë, Shqiptarëve nuk u kanë vajtur mbarë punët, edhe në raport me njëri tjetrin, edhe në raport me të jashtmit, ndërkombëtarët.
Se kush u fryu në vesh shqiptarëve dhe dogjën, prishën, shkatërruan, uzina e fabrika, shkolla e furra-buke... pastaj vranë njëri-tjetrin dhe sa s’kishte ndodhur kurrë mes shqiptarëve. Shqiptarët dogjën e shkatërruan vendin e tyre, shtëpinë e tyre. Të tilla bëma nuk ndodhën në asnjë vend, ish komunist. Pse kaq të gatshëm për të bërë të keqen ne shqiptarët?! Kush na e bëri atë shkollë-djalli?! Mos djajtë i kishim në lagje, në qytet e në kryeqytet e nuk i njihnim për të tillë? Që këtu nisi mashtrimi i “Liderëve të Demokracisë” me popullin, që do të vazhdonte edhe në shekullin tjetër, me 1001 forma e dredhi.
Populli bashkëjeton me politikën, se është i detyruar të bashkëjetojë. Populli zgjedh deputetët, kryetarët e bashkive e të komunave... Pastaj zgjidhet Presidenti, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, et. etj. Kështu formohen institucionet demokratike. Por në Shqipëri, këto institucione, që zgjidhen dhe duhen të zgjidhen me votën e lirë të qytetit të lirë dhe duhet të jenë derivat i vullnetit të popullit, për 20 vjet janë kthyer në institucione mashtrimi. Të zgjedhurit, sa marrin pushtetin, bëhen padronë të ligjit, padronë të pronës, padronë të lirisë të qytetarëve.
I pari (që e ëndërron veten Skënderbe i kohëve moderne), nuk bëri pajtimin dhe bashkimin e qytetarëve, duke e vënë veten, në radhë të parë në shërbim të ligjit, por e thuri ligjin, samar mbi kurrizin e qytetarëve. Pastaj, të hipur mbi samarin e ligjit, mbi kurrizin e qytetarëve, vjedhin për qejfin e tyre dhe miqve të tyre, brenda e jashtë Shqipërisë. “Hajdut me çizme”, thoshte populli, se çizmet shërbenin për të fshehur vjedhjen. Por sot, kryehajdutët janë bërë me bllok, me vula pushteti, me mbrojtës ligjorë,...
Sot, hajdutët qeveritarë, që e shohin popullin nga maja e minares së xhamisë, mburren me vjedhjen e tyre. Bile vjedhin dhe bëjnë fushatë pas-vjedhore. Kaloi gjashtë muaj nga vjedhja-mediatike dhe drejtësia u vonua, që hajdutin ta shpëtojë vonesat procedurale. Kështu shpëtojnë kryehajdutët në Shqipëri, me vonesat ligjore. Ligji është aktiv me hajdutët e vegjël, që vjedhin nga halli, jo nga malli, si pushtetarët.
Kush e ka fajin, hajdutët-pushtetarë apo populli, që vuri e mban në krye këta pushtetarë? Fajtor është ai që vjedh në emër të pushtetit, por ka faj edhe populli që vazhdon të duartrokasë hajdutët e pushtetit.
“Hajduti është dhe kriminel”-thotë populli. Këtë e ka vërtetuar edhe politika shqiptare, në këta 20 vjet. Pasi e vodhi popullin me Firmat Piramidale, vetë politika e vrau në 1997. Një familje, po arriti deri në shkatërrim, kryefamiljari nuk ka më të drejtë të jetë kryefamiljar. Edhe fëmijët ia heqin emrin. Po në Familjen e Shtetit Shqiptar, kur u vodh, u dogj e u vra Shqipëria, si është e mundur që ata po ata? Kush ishte në krye në vitin e gjëmës kombëtare të 1997, ata janë akoma?! Mirë bëhen që dënohen ata, që bënë masakrën e Urës vajgurore, të Lushnjës apo të Qaf Gjashtës në Sarandë, po ata që ishin rojet e shtetit, që e lanë të shkatërrohej e të vritej, ku janë? Ata, përsëri e mashtruan popullin dhe dolën në krye, (në emër të popullit), e vranë popullin (në emër të popullit), nga 1997 në tragjedinë e gërdecit, në 21 janarin e 2011, me vrasje deputetësh e njerëz që “dinë” të vërtetën...
Ata, po ata, gjithmonë në krye, gjithmonë të parët. Kjo klasë politike, mashtruese e vjedhëse-pushteti (vjedhja e votave është bërë shkollë më vete e politikës shqiptare, sa është gdhendur mendimi në kanionet e trurit të qytetarëve: Zgjedhje=Vjedhje.) e ka lenë të fundit në Europë, Shqipërinë. Liberalizimin e vizave, e përfituam të fundit dhe ata që na lanë të fundit, i shesin mend popullit, sikur shqiptarët të mos kenë kujtesë kohore. Për të fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, as bëhet fjalë. Atyre u duhet pushteti për vete e jo Europa për shqiptarët. Edhe pse zgjedhjet e 2011, ishin kusht kryesor për Shqipërinë, sundimtarit i duhet Tirana, me çdo kusht. Zgjedhjet parlamentare të 2009, i vodhën me “kutitë e mbyllura”, zgjedhjet lokale të 2011, po i vjedhin me “kutitë e hapura”.
Opozita opoziton sikur është në Suedi e jo në Çmendinën tonë, që u bë 20 vjeçe pa mësuar akoma abetaren e demokracisë.
“Nuk do hyj unë në Europë, por juve!”... tha i nevrikosur Stefan Fyle. Ja sa të zotë jemi ne shqiptarët, e bëmë edhe kryediplomatin evropian të nxehej-shqiptarçe. Kjo është fitore e politikës shqiptare, me përfaqësuesit e saj parlamentarë dhe me demokraten Vokshi, që ia bëri tetë me dy edhe evropianit të mençur Fyle.
Po kush e ka fajin që Shqiptarët nuk i qasen Europës, politika apo vetë shqiptarët? e ka fajin Politika, që nuk ka hallin e popullit por të ngopet me pushtet, me pasuri, me sundim...
E ka fajin dhe populli, që akoma pushtetarët mashtrojnë, vjedhin, vrasin sipas qejfit të tyre, ose “për 7-palë qejfe!”
Duke respektuar lexuesin dhe një nga miqtë e mi më të mirë e të mençur, po e mbyll me disa radhë të një letre që më erdhi sot në adresën elektronike:
... Nga një herë qortoj veten që u ktheva në këtë vend të...rrafshuar. Shqipërinë, me gjithë mend, e ka marrë dreqi, është kthyer në fole hajdutësh dhe vrasësish, që nuk do të ndalen po nuk e shuan fare nga harta. BE, me sa lexoj ndonjë shkrim për të qenë, ia ka përplasur derën në surrat edhe kësaj here. Zgjedhjet janë kthyer në një tragjikomedi të trishtueshme. Që nga 8 maji jemi pa pushtet lokal. Komisioni i bandave merret akoma me numërimin e votave. I vetmi qëllim i tij është, të bëjë atë që do “diktatori i gjakut”, ndërsa populli i droguar përulet dhe duar-troket. Do të bësh mirë të rrish aty ku je. Këtu djalli ka ngritur kështjella dhe perëndia vazhdon gjithnjë vrapin,-e ka
kuptuar se duhet ta heqë këtë vend nga mendja e vet. Ai qoftë dhe ne mos qofshim....

Kush e ka fajin, populli apo pushteti? Kriza e shqiptarëve nuk i zë pushtetarët. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo!
Athinë, 23 qershor 2011

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar